Një lobing i tregtarëve të karburanteve njoftoi se ka kryer takime në Ministrinë e Financave për të kundërshtuar skemën e re të TVSH-së
Skema e re e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në sektorin e naftës dhe nënprodukteve u kundërshtua nga Shoqata e Hidrokarbureve në një takim me zyrtarë të Ministrisë së Financave. Kryetari i Shoqatës së Tregtarëve të Hidrokarbureve, z.Viktor Nushi, deklaroi në “Top Show” se “skema e re ecte kundër parimeve të tregut të lirë”. Grosistët duket se kanë dalë të pakënaqur nga takimi, ku nuk u arrit ndonjë gjë konkrete, bëhet e ditur nga burime të Ministrisë së Financave. “Do të kryhet vetëm një modifikim i vogël në udhëzim, pa ia ndryshuar thelbin”, - deklaruan zyrtarë të Financave. Edhe Shoqata e Hidrokarbureve u shpreh e pakënaqur.
“Nuk është e mundur që grosisti të përcaktojë çmimin me të cilin një tregtar pakice do ta shesë mallin”, - deklaroi z.Nushi.
Debati është hapur mbi një udhëzim të ri të Ministrisë së Financave, që synon të arkëtojë Tatim mbi Vlerën e Shtuar mbi çmimin final të shitjes së karburanteve dhe cigareve dhe jo më mbi çmimin me shumicë, siç është vepruar deri tani. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi në muajin gusht kur prezantoi udhëzimin e ri, se “kjo metodë do të shmangë abuzivizmin në tregun e hidrokarbureve dhe do të ulë çmimin”.
Por burime nga tregu i hidrokarbureve, bën të ditur se udhëzimi i ri mbart rritjen e ngarkesës fiskale për naftën e benzinën me së paku 2-3 lekë për litër, në një total prej mbi 10 milionë euro në vit taksa të reja për shqiptarët, ndërkohë që nuk jep efekt në shtimin e konkurrencës. Përkundrazi, tregtarët e karburanteve thonë se udhëzimi i ri rrezikon të barazojë çmimin e shitjes së hidrokarbureve në të gjithë vendin, duke ulur më tej konkurrueshmërinë në këtë treg.
Udhëzimi
Udhëzimi i ri, sanksionon që shitësit me pakicë të konsiderohen “nënfurnitorë shërbimi” për kompanitë e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve dhe të naftës. Me këtë tagër, tatimet do të llogarisin TVSH-në 20% mbi çmimin final të shitjes së produktit dhe jo mbi çmimin e shumicës. Kjo skemë është zbatuar sakaq te cigaret dhe ka sjellë rritje çmimesh nga 10 në 30 lekë në tregun me pakicë, si dhe një rritje të çmimeve të shumicës nga 4 në 10 lekë për paketë. Te nafta, ku çmimet janë më fleksibël, udhëzimi i ri i ngarkon shqiptarët me 2-3 lekë taksa më shumë.
Eufori spekulantësh
Shumë shpesh, media dhe qytetarët akuzojnë grosistët e naftës për çmime spekulative. Edhe Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim mbi Shoqatën e Hidrokarbureve, pas informacioneve se kjo shoqatë shërben edhe si një zyrë për koordinimin e grosistëve në përcaktimin e çmimeve. Në këtë mes ndërhyn qeveria, e cila duke shpallur luftë kundër spekulantëve, justifikon rritjen e taksave për qytetarët.
Çmimi i naftës në Shqipëri është ulur me vetëm 5-6% gjatë muajit të fundit, në një kohë që në tregun ndërkombëtar, çmimet kanë rënë me më shumë se 40%. Disa dyshojnë se rritja e çmimit në Shqipëri përgjatë të gjithë vitit 2008 nga 130 lekë për litër që qe në shkurt, në 165 lekë për litër që arriti në gusht, qe spekulim në shkallë të gjerë. Rritja e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar u shoqërua me rënie të shpejtë të vlerës së dollarit përballë euros dhe për shkak se leku është monedhë e varur nga euro, dollari ra edhe kundrejt lekut.
Për pasojë, kostoja e importimit të naftës në Shqipëri nuk ndryshoi shumë, por grosistët e rritën çmimin