Rruga gjarpëron përmes pishave drejt zonës industriale. Ecim me kujdes në rrugën përmes drurëve, sipër halave të rëna nga pishat derisa dendësia pafund që na rrethon takon rrugën kryesore. Pishat pa fund çahen diku për t’ia lënë vendin ndërtimit të ri, zonës ku po ngrihet TEC.
Në të gjithë këtë zonë janë zhdukur pishat dhe gjelbërimi i dikurshëm. Dalëngadalë bimësia po ia lë vendin makinerive gjigante, asfaltit të zi dhe pas pak kohësh naftës.
Ngritja e TEC-i ne Vlorë pikërisht në këtë zonë nuk është pritur aspak me kënaqësi nga banorët e Vlorës. Komuniteti lokal ka reaguar menjëherë në lidhje me këtë çështje por asnjë herë fjalët e tyre nuk janë dëgjuar. Nisja e punimeve, rreth tre muaj më parë, bëri që zona të mbushej disa herë me përfaqësues të Aleancës për Gjirin e Vlorës dhe qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë kërkuar zhvendosjen e TEC. “Jo kundër TEC, por kundër zonës ku ngrihet ai”, ka qenë reagimi i Aleancës për mbrojtjen e gjirit të Vlorës.
Për të diskutuar lidhur me këtë temë i ftuar në Blog do të jetë Lavdosh Ferruni, përfaqësues i Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës.
Të martën, dt 30 Korrik, nga ora 10:00-12:00 ju do të keni mundësi të bisedoni drejtpërdrejt me zotin Ferruni në www.biznesi.com.al/blog. Ndrkohë që vazhdoni të shkruani mendimin tuaj lidhur me TEC-in e Vlorës.