Borxhi publik i Shqipërisë ka arritur 54% të PBB-së në vitin 2007, vetëm 6% më pak se sa norma e lejuar nga Bashkimi Europian.
Niveli i borxhit këtë vit arriti 540 miliardë lekë (4.4 miliardë euro), ose 1 225 euro për individ.
Megjithatë qeveria është shprehur se nuk ka shqetësim nga borxhi i rritur, për aq kohë sa Shqipëria po tërheq investime të huaja.
"Teorikisht, Shqipëria mund të rrisë borxhin, vetëm nëse siguron investimet. Ky është një rregull i ndjekur nga çdo qeveri" – tha Sherefedin Shehu, zv/ministër i Financave.
Sipas projekteve të qeverisë, niveli i borxheve për vitin 2008 mund të arrijë në 576 miliardë lekë (4.7 miliardë euro).
Megjithatë, ministria e financave tha se niveli i borxhit në raport me PBB do të reduktohet për shkak të rritjes së PBB-së.
"Ne kemi si qëllim reduktimin e borxhit publik në lidhje me PBB-në"- tha Shehu.
Në vitin 2008, Shqipëria mund të paguajë 20 miliardë lekë (163 milionë euro) interes për borxhet e jashtme të marra.