TIRANË- Qeveria shqiptare miratoi dje procedurat për të pranuar për efekt të pagimit të taksave, kontratat e firmave të ndërtimit me pronarët e tokës. Vendimi i jep të drejtë firmave të ndërtimit, të deklarojnë si kosto pranë zyrave të tatim-taksave, sipërfaqet e apartamenteve dhe dyqaneve që ia kalojnë nën pronësi pronarëve në këmbim të tokës.
Sipas vendimit, kostoja e tokës do të llogaritet duke marrë për bazë kontratat e shkëmbimit që firmat lidhin me pronarët e tokës. Sasia e metrave katrore të dhëna për pronarët, do të shumëzohet me koston minimale fiskale në sektorin e ndërtimit, e cila aktualisht është rreth 30 mijë lekë për metër/katror në Tiranë dhe shuma totale do të jetë edhe shpenzimi i zbritshëm për kompanitë e ndërtimit. Praktika më e zakonshme e firmave të ndërtimit, është shkëmbimi i tokës truall me apartamente ose dyqane.
Në Tiranë dhe qytetet e tjera kryesore, toka shkëmbehet përkundrejt 20 deri në 30% të sipërfaqes së ndërtuar mbi të. Kosto minimale në sektorin e ndërtimit, është një mekanizëm fiskal në bazë të të cilit firmat e ndërtimit paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar të inkorporuar, pra mbi koston dhe që shërben edhe për të llogaritur diferencën mes kostos dhe çmimit final të shitjes, gjë që shërben për llogaritjen e tatimit mbi fitimin. Masa e djeshme është një lehtësim i konsiderueshëm për kompanitë e ndërtimit, të cilat pas këtij vendimi do të paguajnë më pak tatim mbi fitimin. Masa nuk pritet të ketë efekt në çmimin final të apartamenteve për shkak se edhe pa këtë lehtësim fiskal, diferenca mes kostos dhe çmimeve është tre deri në pesë herë në Tiranë.