Legalizimet e ndërtimeve pa leje dhe shtesave pa leje në godinat dhe ndërtimet e ndryshme në qytetin e Gjirokastrës vazhdojnë të shkaktojnë debate midis Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t në Gjirokastër dhe bashkisë së këtij qyteti.
Së fundi kjo drejtori ka kërkuar " mbështetjen e Këshillit Bashkiak të qytetit të Gjirokastrës që ti kërkojë Zyrës së Urbanistikës së Bashkisë dhe ti vëjë asaj detyrë programimin me afate kohore për zbatimin e ligjit në lidhje me legalizimin e ndërtimeve pa leje". "Si shkak i punës së dobët të Bashkisë së Gjirokastrës në këtë drejtim janë konstatuar vetëm 458 ndërtime pa leje në qytet", thotë drejtori Rajonal i ALUIZNI-t, Dino Çiço. "është e pamundur, vijon ai, që me nje fluks të tillë imigrimi demografik në drejtim të qytetit të Gjirokastrës gjatë viteve të fundit të ketë një numër kaq të vogël të ndërtimeve pa leje apo shtesave pa leje". Sipas tij, Bashkia nga ana e saj nuk i ka ardhur në ndihmë qytetarëve që të përfshihen në proçesin e legalizimit.
" Kjo gjë ka bërë që qytetarët gjirokastritë të jenë pas banorëve të komunave të Picarit (Gjirokastër), Bashkisë Këlcyrë, Bashkisë Tepelenë, Komunës Ballban (Përmet) etj në lidhje me legalizimet e ndërtimeve pa leje", thotë Çiço.
Ndërkohë nga ana e saj Bashkia e Gjirokastrës ka hedhur poshtë çdo lloj pretendimi të ALUIZNI-t për mosrespektim të afateve të legalizimeve. Sipas shefit të Zyrës së Urbanistikës në bashki, Alfred Mamani "specialistët e ngarkuar me proçesin e legalizimeve në Bashkinë e Gjirokastrës po punojnë për përfundimin e dokumentacionit përkatës të ndërtimeve që do të legalizohen brenda një kohe sa më të shkurtër që të jetë e mundur dhe konform ligjit".