Gjatë ditëve të fundit inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë dhe Ushqimit në Gjirokastër kanë ushtruar një sërë kontrollesh në lidhje me kushtet e tregtimit të produkteve dhe mallrave ushqimore në njësitë e ndryshme në qytetin e Gjirokastrës.
"Gjatë kontrolleve të ushtruara ne kemi arritur të asgjësojnë 225 kg ushqime të skaduara me një vlerë prej 31 000 lekë",. thotë drejtori i Bujqësisë dhe Ushqimit në Gjirokastër, Bekim Sinani. Gjatë kontrolleve inspektorët e ushqimit kanë konstatuar shkelje të kushteve higjeno-sanitare gjatë tregtimit të mallrave dhe produkteve ushqimore." Në njësitë e ndryshme të tregtimit në qytet ne kemi gjetur artikuj të pa certifikuar përsa i përket garancisë së cilësisë së tyre çka përbën një shkelje ligjore", thotë Sinani.
Grupi i kontrollit ka konstatuar se në disa njësi edhe kushtet e tregtimit të bukës lënë për të dëshiruara. "Në mjaft dyqane në Gjirokastër buka dhe zarzavatet tregtohen në të njëjtin ambient gjë e cila rrezikon shëndetin e konsumatorit", thonë inspektorët e ushqimit. Ndërkohë për mosplotësim ta standardeve higjeno-sanitare gjatë tregtimit grupi i kontrollit bllokoi veprimtarinë e dy njësive të shitjes së mishit, në lagjen "Granicë".
Shqetësim për inspektorët e ushqimit vazhdojnë të ngelen kushtet e tregtimit të mallrave ushqimore në ambient të jashtëm. Në raportin përfundimtar të këtij kontrolli janë përfshirë edhe raste të tregtimit të produkteve ushqimore me tezga, anës rrugës në kushte plotësisht të papërshtatshme higjeno-sanitare. " Shqetësim për në vazhdojnë të ngelen kushtet e tregtimit në tregjet e shitjes me pakicë dhe shumicë të fruta-perimeve të cilët aktualisht nuk plotësojnë kushtet higjeno-sanitare, ato teknologjike për ruajtjen, përpunimin dhe tregtimin e tyre", thotë Bekim Sinani, drejtori Rajonal i Bujqësisë dhe Ushqimit në Gjirokastër.