Vlerat historike, kulturore, etnografike dhe resurset turistike te krahinës së Lunxhërisë në rrethin e Gjirokastrës janë sjellë së fundi në një ekspozitë fotografike. Ekspozita fotografike “Lunxhëria turistike” e cila ka si autor studiuesin e njohur Arqile Bërxolli është çelur ditën e diel në mjediset e Kinoteatrit të qytetit të Gjirokastër.
Në të janë ekspozuar 125 fotografi bardhë e zi dhe me ngjyra të cilat paraqesin elementët turistikë të krahinës së Lunxhërisë. “Përmes këtyre fotografike unë kam dashur të sjell për artëdashësit dhe vizitorët vlerat e veçanta të traditës lunxhiote”, thotë autori Berxolli. Fotografitë e ekspozuara paraqesin elementët turistike, trashëgiminë kulturore, pasurinë etnografike dhe të traditës popullore të kësaj zone.
“Shpresoj që këto fotografi, thotë autori i ekspozitës, të zgjojnë interesimin e vizitorëve vendas dhe të huaj për ta përfshirë zonën e Lunxhërisë në guidat turistike”. Ndërkohë gjatë këtij organzimi në mjediset e Kinoteatrit të Gjirokastrës në një stendë të veçantë u prezantuan edhe botimet e ndryshme të realizuara ndër vite ne lidhje me krahinën e Lunxhërisë. Kjo zonë mbart vlera të veçanta në lidhje me zhvillimin e turizmit dhe kryesisht të turizmit malor.