Skema parashikon që TVSH-ja të jetë 6% mbi çmimin e shitjes dhe të paguhet nga konsumatori
Qeveria ka vendosur gjatë ditës së djeshme Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për produktet bujqësore. Sipas kësaj skeme, të gjithë bizneset që do të blejnë produkte bujqësore direkt nga fermerët do t’u njihet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në masën 6%. Por për fermerët duket se përfitimi i 6 përqindëshit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar duket tepër i vështirë. Sipas vendimit të qeverisë fatura tatimore në këtë rast nuk lëshohet nga shitësi, siç ndodh në të gjitha njësitë tregtare, por në këtë rast fatura tatimore lëshohet nga blerësi, që në këtë rast është biznesi që do t’i blejë këto produkte.
***
Skema për vendosjen e TVSH-së në masën 6% që është lançuar që muaj më parë nga ana e Ministrisë së Financave dhe asaj të Bujqësisë, nuk sjell asgjë të re për fermerët, por vetëm për tregtarët e këtyre produkteve dhe për agro-ushqimin. “Kompensimi, që personi i tatueshëm, blerës, i ka paguar shitësit fermer, vlerësohet si TVSH-ja e kreditueshme për personin e tatueshëm, sipas kushteve të nenit 33, të ligjit, dhe deklarohet në periudhën tatimore kur është lëshuar fatura”, sqarohet në këtë projektligj. Pra, është e qartë skema e këtij projektligji. Fermeri duhet që tashmë në çmimin e prodhimit që do të shesë, të fusë edhe vlerën e TVSH-së. Nëse p.sh., 1 kilogram domate ka një çmim prej 100 lekë, atëherë bashkë me TVSH-në ai do ta shesë këtë produkt me 106 lekë. Pra fermeri do të marrë që në momentin e shitjes 6-lekëshin e TVSH-së bashkë me faturën e TVSH-së që do të lëshojë shitësi që duhet të jetë person i tatueshëm. Ky i fundit faturën tatimore duhet ta paraqesë tek tatimet brenda periudhës së caktuar tatimore dhe kjo do të njihet si TVSH e kreditueshme.
Skema e paraqitur nga ana e Ministrisë së Financave, megjithëse duket e mirë në letër, mbetet e vështirë për t’u zbatuar në praktikë. Kjo pasi i interesuar në këtë transaksion është vetëm fermeri, sepse ai do të marrë një përfitim prej 6 për qind të çmimit të produktit të shitur. Por për të realizuar këtë transaksion atij i duhet fatura tatimore nga blerësi, që në këtë rast është biznesi që do të blejë produktet bujqësore. Ky i fundit nuk ka asnjë përfitim në këtë rast që të lëshojë një faturë tatimore, nëse llogaria për të është zero në fund të këtij transaksioni. Ky ligj duket tepër i vështirë për t’u vënë në zbatim dhe aq më tepër, që të sjellë një kompensim për fermerët në rritje të çmimit me 6 për qind për produktet e tyre bujqësore dhe blegtorale. Sipas specialistëve, një skemë e tillë do të kërkonte që i gjithë procesi të ishte i monitoruar nga ana e tatimeve dhe në mënyrë të veçantë shitja përfundimtare tek konsumatori.
Në krye të saj vendoset shënimi “Faturë e lëshuar nga blerësi” dhe në të duhet të shënohen këto të dhëna:
Emri, adresa, NIPT-i i Personit të Tatueshëm, blerës
Emri, mbiemri, adresa, kodi personal i fermerit shitës
Data kur lëshohet fatura
Përshkrimi i çdo lloj malli të furnizuar
Sasia e mallrave të furnizuara
Çmimi për njësi, i çdo lloj malli të furnizuar
Vlera e furnizimit
Përqindja e kompensimit të paguar
Shuma e kompensimit të paguar
Vlera e përgjithshme e paguar për atë furnizim.
Skema e kompensimit të fermerëve
Vendimi i marrë dje nga ana e qeverisë parashikon që blerjet e bëra tek fermerët të jenë me fatura tatimore. Këto fatura lëshohen nga biznesi që blen produktet, ndërsa gjatë këtij transaksioni fermeri duhet që ta shesë mallin e tij me TVSH. Skema duket disi e çuditshme, pasi fatura tatimore do të lëshohet nga blerësi dhe jo nga shitësi që është fermeri. Blerësit, personit të tatueshëm që do të blejë mallrat do t’i njihet kjo TVSH si vlerë e zbritshme, ose thënë ndryshe TVSH e kreditueshme.
Produktet e TVSH-së 6%
Për fermerët, të cilët, në kuadër të veprimtarisë së tyre, në një nga fushat e prodhimit, bujqësor e blegtoral, furnizojnë me këto produkte një person të tatueshëm, sipas kuptimit të këtij ligji, zbatohet skema e kompensimit të akorduar. Ministri i Financave, në bashkëpunim me ministrin për bujqësinë e blegtorinë, përcakton, me udhëzim, listën e produkteve, të përfshira në këtë skemë. Kompensimi i akorduar i paguhet shitësit fermer nga blerësi, person i tatueshëm, përkundrejt furnizimeve të kryera. Sipas projektligjit kompensimi i akorduar është i barabartë me produktin e përqindjes fiks të kompensimit me vlerën e furnizmit dhe llogaritet, për çdo furnizim të fermerit, për personin e tatueshëm. Qeveria e justifikon këtë kompensim si një kthim i TVSH-së që fermerët paguajnë bashkë me çmimin që ata punojnë tokat, apo blejnë plehrat kimikë si dhe shërbime të tjera për të cilat TVSH-ja e paguar nuk njihet.