Diskutimi i problematikave mjedisore dhe ambjentale ne Jug të vendit ka qenë në qendër të takimit rajonal "Mbrojtja e mjedisit prioritet i zhvillimit Rajonal".
Takimi i organizuar në qytetin e Gjirokastrës është inicuar nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër.
Pjesë e këtij takimi kanë qenë përfaqsues të pushtetit vendor, organizatave mjedisore, pedagogë të universitetit të Gjirokastrës, gazetarë, të ftuar nga Prefektura e Epirit (Greqi) etj."Qëllimi i këtij takimi rajonal është diskutimi i problematikave dhe çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me ambjentin dhe mjedisin në rajonin Jugor", thotë Prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera.
Pjesmarrësit në këtë takim kanë sjellë opinionet dhe propozimet e tyre në lidhje me situatën ambjentale dhe respektimin e normave mjedisore në Qarkun e Gjirokastrës. Drejtuesit e pushtetit vendor në bashkitë dhe komunat e rretheve Përmet, Tepelenë dhe Gjirokastrës kanë kërkuar zbatimin e legjislacionit në lidhje me mjedisin pasi sipas tyre shpesh hapësirat e lira në zonat e banuara, tokat bujqësore apo shtretërit e përrenjve dhe lumenjve kthehen në kazanë natyror mbeturinash për depozitimin e mbetjeve të ndryshme.
Mungesa e shesheve të depozitimit dhe përpunimit të mbetjeve urbane vazhdon të përbëjë shqetësim për komunitetet e banorëve të rretheve Përmet, Tepelenë dhe Gjirokastër. Aktualisht në Qarkun e Gjirokastrës mungojnë vendgrumbullimet e mbeturinave të cilët do të plotësonin parametrat mjedisorë dhe ato të kërkuar nga legjislacioni në fuqi. "Nga ana e bashkive dhe komunave të Jugut mbetjet e ndryshme urbane hidhen ku të munden pa vijuar më pas përpunimin teknologjik të tyre dhe duke u kthyer kështu në ndotës të rrezikshëm për mjedisin", thotë Arben Çulli, kryetar i Këshillit të Qarkut, Gjirokastër.
Madje shtretërit e lumenjve Drino dhe Vjose si shkak i depozitimit të vazhdueshëm të mbetjeve urbane janë kthyer në kosha natyror mbeturinash. Sipas Çullit " një projekt i inicuar së fundi nga Këshilli i Qarkut Gjirokastër synon frenimin e këtij problemi dhe ndërtimin e venddepozitimeve të mbeturinave në përputhje me parametrat e kërkuara nga komuniteti". Në vazhdim të kësaj nisme bashkitë dhe komunat e Qarkut kanë akorduar nga buxhetet e tyre fonde nga 200-1 000 euro për përfudimin me sukses të kësaj nisme. Ndërkohë hartusit e projektit po kërkojnë mbështetje financiare edhe nga donatorë të tjerë përfshirë edhe ata të huaj.