Si i kanë justifikuar procedurat e paligjshme para prokurorisë Andi Toma, Lejla Saraçi, Armand Teliti dhe Ylli Gjoni. Dëshmitë e plota të tyre para hetuesve
TIRANË- Me përzgjedhjen e kompanisë konsulente "Ecorys Group", qeveria shqiptare duket se i ka dhënë fund "kokëçarjeve" të tjera për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. "Ecorys Group" ka vendosur e vetme për shpalljen e tenderit, ngritjen e komisionit të vlerësimit të ofertave, negociimin e kushteve të kontratës me "Bechtel-Enka" dhe përzgjedhjen e kësaj firme, si më mirën për ndërtimin e aksit të shumëdiskutuar Rrëshen-Kalimash. Zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe ata të Ministrisë së Transporteve kanë hedhur firmat në dokumentacionet që iu diktonte kompania konsulente, duke "ligjëruar" kështu një sërë procedurash të cilësuara të paligjshme nga Prokuroria e Përgjithshme. "Shekulli" ka siguruar dëshmitë e 4 zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, detyra e të cilëve ishte ndjekja e procedurave për ndërtimin e kësaj rruge, e cila ka zënë gjysmën e investimeve publike në buxhetin e vitit 2006. Sipas këtyre dëshmive, qëndrimet e zyrtarëve të Drejtorisë së Rrugëve kanë qenë kontradiktore me ato të Ministrisë së Transporteve, para hetuesve të Prokurorisë së Tiranës. E ndërsa Lejla Saraçi dhe Ylli Gjoni kanë pohuar se kanë zbatuar vendimet e Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Transporteve dhe kompanisë konsulente "Ecorys Grup", më të rezervuar kanë qenë drejtori juridik i Ministrisë së Transporteve, Andi Toma, dhe ish-zv.ministri Armand Teliti. Sipas dëshmisë së drejtores aktuale të Rrugëve, Saraçi, mësohet se lëvrimi i paradhënies për kompaninë "Bechtel-Enka" është bërë siç diktohej në kontratën e lidhur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë ndërtuese. Më tej, Saraçi ka shtuar se ka zbatuar vendimet e qeverisë dhe kontratën e servirur nga "Ecorys Group", pasi drejtoria e saj nuk mund të kontrollonte një kontratë të miratuar nga një institucion më i lartë në hierarki. Për të hedhur më shumë dritë mbi reagimet e zyrtarëve që janë marrë direkt me rrugën Rrëshen-Kalimash, "Shekulli" boton sot të plota përgjigjet që i kanë dhënë prokurorisë Andi Toma, Lejla Saraçi, Armand Teliti e Ylli Gjoni. F.Vezaj
Andi Toma: Relacionet,
nga Drejtoria e Rrugëve
PYETJE: Çfarë procedure është ndjekur në M.P.P.T.T. për vendimet nr.460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006?
PERGJIGJE:Kam për të thënë se si rregull, të gjitha projekt-vendimet i nënshtrohen redaktimit juridik dhe përgatiten në bashkëpunim me drejtoritë e interesuara, qoftë në ministri ose të varësisë.
Edhe në rastin konkret gjykoj se projekt-vendimet së bashku me relacionet përkatëse janë servirur nga D.P.Rrugëve dhe janë punuar nga Drejtoria e Shërbimeve Juridike, ku unë kam ushtruar detyrën e Drejtorit të kësaj Drejtorie.
PYETJE: Ku është zhvilluar tenderi për ndërtimin e Rrugës Rrëshen–Kalimash?
PËRGJIGJE: Mesa di unë dhe mbaj mend, procedura e hapjes së ofertave është zhvilluar në ambientet e M.P.P.T.T, në prani të komisionit ndërkombëtar të vlerësimit dhe të mediave vizive, të cilat ishin të pranishme.Vetë nuk kam qenë present, por këtë fakt e kujtoj nga kronikat televizive.
PYETJE: Cili është mendimi juaj për kontratën, pasi në këtë kontratë mungon projekti përfundimtar?
PËRGJIGJE: Projekt- kontrata si çdo projekt–vendim i propozuar nga M.P.P.T.T, ka kaluar në filtrin e Këshillit të Ministrave dhe është miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave dhe kjo projekt-kontratë, ashtu dhe projekt-vendimet e tjera kanë kaluar nga Drejtoria e Shërbimeve Juridike.
PYETJE: A e keni kontrolluar ju personalisht këtë projekt-kontratë?
PËRGJIGJIE: Po e kam shqyrtuar.
PYETJE: Sipas dijenisë suaj, cilët persona konkretë janë marrë me perpilimin e kësaj projekt-kontrate?
PËRGJIGJE: Me Vendim të Këshillit te Ministrave është ngarkuar konsulenti ndërkombëtar për asistimin në negocimin, hartimin dhe lidhjen e kontratës, i cili ka mbajtur peshën kryesore për negociimin dhe hartimin e projekt-kontratës.
PYETJE: Pasi keni shqyrtuar personalisht projekt-kontratën në fjalë, a e keni gjetur të rregullt këtë projekt-kontratë?
PËRGJIGJE: Nuk më kujtohet nëse kam firmosur apo jo, por nuk kujtoj të kem konstatuar shkelje ligjore në projekt-kontratën e çuar për miratim nga M.P.P.T.T. në Këshillin e Ministrave.
PYETJE: Në faqen nr.13 të kontratës parashikohet edhe një klauzolë sipas së cilës ..."Ligji i kontratës është ligji anglez...". Çfarë keni për të thënë për këtë fakt"?
PËRGJIGJE: Në vijim të asaj që thashë më lart, shtoj që kjo dispozitë si dhe të gjitha dispozitat e kontratës janë në perputhje me vullnetin e palëve të cilat kanë lidhur kontratën.
DEKLARIMI I LIRË I LEJLA SARAÇIT
Aktualisht punoj si Drejtore e Projektit te Kooperacionit italian në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Deri me daten 03.04.2007 unë kam qenë me detyrë Drejtoreshë e Përgjithshme e Rrugëve.
Në Drejtorine e Përgjithshme të Rrugëve gjatë vitit 2006 janë bërë shumë tendera për ndërtimin e rrugëve në territorin e Republikës së Shqipërsisë si rruge nacionale, komuna dhe bashki.
Në daten 30.06.2006 është bërë tenderi për ndërtimin e rrugës Tiranë – Durrës, paralele, krahu i majtë Loti nr.2. Pas kontrollit të dokumentacionit, fitues doli firma "Salillari". Me firmën "Salillari", kontrata është lidhur në datën 08.08.2006, për punimet në këtë aks rrugor.
Për këtë fakt është mbajtur dhe procesverbali përkatës.
Është dhënë një paradhënie 10 %, pasi objekti kishte vlerë mbi 100 milionë lekë. Dhe firma për këtë ka dhënë dhe garancinë bankare prej 10 % të vlerës së objektit, por fondet lëvrohen nga buxheti i shtetit. Kjo garanci vendoset në bankë para se të lidhet kontrata.
Më pas, në bazë të punimeve të kryera, kontraktori harton situacionet mujore ose dymujore, këto situacione firmosen nga supervizori, pasi ka bërë kontrollin në vend. Këto dokumentavijnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Këto situacione kontrollohen nga Drejtoria e Menaxhimit të Kontratave, prane Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Kjo Drejtori bën dokumentin për financën pasi firmoset nga Drejtori i Përgjithshëm. Më pas bëhet pagesa nga buxheti i shtetit.
Në këtë objekt ka pasur ndryshime projekti, që jane vënë në dispozicionin tonë nga supervizori i objektit. Këto ndryshime kanë kaluar në Këshillin Teknik për Miratim, per shkak të kushteve faktike reale në objekt.
Shpronësimet në këtë segment kanë filluar në të njëjtën kohë me ndërtimin e rrugës dhe vazhdojnë. Dosjet e shpronësimeve përgatiten nga Drejtoria e Shpronësimeve prane Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, dhe më pas kalohen në Ministrinë e Transportit për t`u vlerësuar në Komisionin e vlerësimit. Ministria bën vlerësimin e të gjithë pasurive të shpronësuara. Pasi bëhet ky vlerësim dalin listat e pronave në gazetë për komente për një periudhë 1 mujore, pas kësaj del Vendimi i Këshillit të Ministrave për pagesën e pronarëve të shpronësuar.
Kësaj kontrate i është shtyrë afati për rreth 6 muaj për shkak të vonesave të dokumentacioneve të Z.R.P.P. Tiranë si dhe ndryshimet në projekt. Projekti me te cilin objekti u tenderua, ka qene i vitit 2000 dhe me pas është ndryshuar gjendja faktike në terren.
Për ndërtimin e segmentit Rrugor Rrëshen – Kalimash,me vendim të Këshillit të Ministrave nr.481 date 14.06.2006, Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve iu lejua që të përdorë procedurën e prokurimit "Tender i Hapur nderkombetar" për ndërtime me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen – Kalimash.
Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.526 date 02.08.2006, u caktohet Komisioni Ndërkombëtar i Vlerësimit të tenderit të hapur për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen – Kalimash.
Ky komision zhvilloi garën në bazë të dokumentacionit të paraqitur dhe caktoi si fitues firmën "J.V. Bechtel-Enka".
Në datë 15.09.2006 lidhet kontrata midis firmës fituese dhe Qeverisë Shqiptare të përfaqësuar nga M.P.P.T.T. dhe Drejtorisë së Përgjithme të Rrugëve.
Me vendim të Keshillit te Ministrave nr.651 date 27.09.2006, është miratuar Projekt – Kontrata e lidhur për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen – Kalimash.
Bazuar në kontratë, firmës fituese ose kontraktore iu paguan 20 milionë euro paradhënie, ndërsa paradhënia tjeter prej 20 milionë euro jepet brenda 5 muajve nga derdhja e shumës së parë, bazuar ne nenin 4.2 të kontratës.
Garanci kontrate dhe garanci paradhënie firma ka dhënë, për të tre lotet.
Dosje supervizioni nuk ka, pasi është në proces tenderimi. Është bërë nje shtesë kontrate tek konsulenti të cilën po ua paraqes ju. Shtesa konsiston tek kontrata e projektuesit që kryen detyrën e supervizorit për punimet deri në fazëne caktimit të supervizorit.
Oponenca teknike është bërë nga Instituti i Ndërtimit për të tre lotet një kopje po ua paraqes ju.
Projekti perfundimtar i zbatimit parashikohet të përfundojë në pranverë të vitit 2007, ashtu siç është parashikuar dhe nga kontrata e lidhur.
Lejla Saraçi: Firmosa
me autorizim të qeverisë
PYETJE: Çfarë procedure është ndjekur nga ana e DPR per vendimet nr.460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006?
PERGJIGJE: Lidhur me këto VKM deklaroj se ato janë iniciuar vetëm nga ana e Ministrise së Punëve Publike dhe në DPR kanë ardhur vetëm Vendimet e Këshillit të Ministrave, pasi ato i kanë kaluar të gjitha fazat dhe janë miratuar. Pra me procedurat e këtyre VKM-ve DPRR nuk eshte angazhuar fare. Nga ana e DPR ka qenë vetëm inxhinieri Ylli Gjoni, Drejtori i drejtorisë së mirëmbajtjes, i cili ka qenë i emëruar me gojë nga Ministri për të qenë person kontakti, përfaqësues i DPR-së për këtë projekt investimi. Ai vetëm ka qenë në dijeni për gjithçka ndodhte, por nuk ka pasur asnjë kompetencë kontrolluese ose vendimmarrëse.
PYETJE: Ku është zhvilluar tenderi për ndërtimin e rrugës Rrëshen – Kalimash?
PERGJIGJE: Tenderi është zhvilluar në muajin shtator 2006, në Ministrinë e Punëve Publike.
PYETJE: Cili është mendimi juaj për kontratën pasi në këtë kontratë mungon projekti përfundimtar?
PERGJIGJE: Projekt- kontrata është dërguar drejtperdrejt nga "Ecorys Group" në Drejtorine Juridike të Ministrisë së Punëve Publike dhe kjo drejtori pasi e ka kontrolluar dhe e ka gjetur të rregullt, e ka dërguar në Këshillin e Ministrave për miratim. Pasi është miratuar në Këshillin e Ministrave, kjo kontratë është dërguar në DPR vetëm për t'u firmosur nga ana ime. Në dokumentacionin e ardhur nga Këshilli i Ministrave, së bashku me kontratën e miratuar është dërguar edhe autorizimi që kjo kontratë duhej të firmosej nga ana ime, si drejtore e institucionit.
PYETJE: A e keni kontrolluar ju këtë kontratë për ligjshmërine e saj, përpara se ta nënshkruanit?
PËRGJIGJE: As unë dhe as departamenti juridik i DPR, nuk ka pasur për kompetencë për ta verifikuar këtë kontratë për ligjshmërinë e saj pasi kjo kontratë ishte verifikuar më parë nga një organ epror, pra drejtoria juridike e ministrisë, është miratuar nga Këshilli i Ministrave. Pra një rikontroll nga ana jone do të ishte "non sens". Pra ne nuk e kemi kontrolluar paraprakisht këtë kontratë para se ta nënshkruanim, pasi ajo ishte e kontrolluar për ligjshmërine e saj nga Ministria e Punëve Publike.
PYETJE: Sipas dijenise suaj, cilët persona konkretë janë marrë me përpilimin e kësaj projekt-kontrate?
PËRGJIGJE: Me përpiliminin e kësaj kontrate, ashtu si gjithë dokumentacionin e garës së tenderit, është marrë vetëm "ECORYS Group", pasi ai ishte caktuar me VKM si kompania konsulente që do të merrej me këtë procedurë. Për këtë detyrë është bërë edhe pagesa nga ana jonë për "Ecorys Group" në vlerën 220 000 euro. Fillimisht vlera për shpërblimin e tij në tenderin e drejtpërdrejtë ka qenë 180 000 euro, por meqënëse Ecorys u angazhua edhe për hartimin e kontratës, ai është shpërblyer në masën totale 220 000 euro, e caktuar me VKM shtesë numrin e të cilës nuk e mbaj mend.
PYETJE: Në faqen nr.13 të kontratës parashikohet edhe një klauzole sipas së cilës ..."Ligji i kontratës është ligji anglez...". Çfarë keni për të thënë për këtë fakt?
PËRGJIGJE: Si kam deklaruar edhe sipër, sqaroj se me ligjshmërinë e kontratës është marrë vetëm Ministria e Punëve Publike. Ne e kemi nënshkruar vetëm pasi i ka kaluar të gjitha hallkat dhe është miratuar me VKM.
PYETJE: Çfarë dokumentacioni i keni vënë në dispozicion shoqërise Ecorys dhe shoqerisë Bechtel Enka?
PËRGJIGJE: Nuk i kemi vënë asgjë në dispozicion, pasi nuk na kanë kërkuar asgjë.
PYETJE: Ju si supervizore provizore, a keni autorizuar thesarin e shtetit për dhënie parash shoqërisë Bechtel për punime të kryera me situacione?
PËRGJIGJE: Përpara se të nënshkruhet nga drejtori i DPR-se, keto shkresa drejtuar thesarit nënshkruhen fillimisht nga drejtoresha e menaxhimit të kontratave në DPR. Po unë mbaj mend që kam firmosur vetëm dhenien e parave paradhënie, sipas kontratës, por jo pagesën për punime të matshme pra sipas situacioneve.
PYETJE: A e njihni ju personalisht gjuhën angleze?
PËRGJIGJE: Po, unë e njoh shumë mirë këtë gjuhë.
Armand Teliti: Ky
është një proces politik
PYETJE: I pandehur, akuzoheni për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim" të parashikuar nga neni 248-25 të Kodit Penal.Në bazë të neneve 38/3, 39, 48 të Kodit të Procedurës Penale, keni të drejtë të mos flisni, keni të drejtë të keni mbrojtës, po ju njoh dhe me kontratën e lidhur në daten 15.09.2006 për rrugen Rrëshen-Kalimash, e cila është provë , procedimi ndaj jush do të vazhdoje.
PERGJIGJE: Pasi u njoha me akuzën, do të mbrohem nga avokati Genc Gjokutaj me me nr. License… i cili është i pranishëm dhe e pranon mbrojtjen konform nenit 49 te Kodit të Procedurës Penale.
Akuzën e dëgjova, e kuptova dhe nuk e pranoj. Rreth saj duke u bazuar në nenin 39/3 do të përgjigjem në një fazë të mëvonshme, pasi nga ana juaj të jetë përmbushur detyrimi ligjor që parashikon dispozita e nenit 39 te Kodit te Procedures Penale, pra pasi te jemi njohur me te gjitha faktet dhe provat që janë në themel të akuzës së ngritur nga ju dhe që m`u komunikua sot.
Kam për të thënë se ju, zoti prokuror po instrumentalizoheni në një proces tërësisht politik, për interesa të kreut të institucionit që ju përfaqësoni, për të cilin ka filluar numërimi mbrapsht.
Dy të pandehurit e tjerë, Andi Toma dhe Lejla Saraci kur janë pyetur me cilësinë e të pandehurit kanë përfituar nga e drejta për të mos dhënë shpjegime dhe nuk kanë bërë asnjë deklarim.
Ylli Gjoni: "Ecorys
Group" përgatiti kontratën
"Ecorys – Group" është caktuar me VKM si konsulenti ndërkombetar që do të asistojë Qeverinë Shqiptare në të gjitha procedurat dhe deri në lidhjen e kontratës.Ky konsulent ka hartuar dokumentacionin e tenderit, ka bërë një plan prokurimi, ka propozuar komisionin ndërkombëtar të vlerësimit, ka udhëhequr negociatat për hartimin e kontratës si dhe ka hartuar raportin përfundimtar të të gjithë procesit.
VKM nr.526 date 02.08.2006 cakton anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të vlerësimit për tenderin e hapur nderkombetar për ndërtimin me ritme të përshpjetuara të segmentit Rrëshen – Kalimash.Në këtë vendim janë caktuar dhe 5 anëtarët e komisionit të vlerësimit në bazë të propozimit të konsulentit "Ecorys – Group".
Ky komision ka bërë vlëresimin e ofertave të paraqitura në baze të publikimit të bërë në gazetën ndërkombëtare "Financial Times". Pas publikimit është zhvilluar tenderi ku janë paraqitur 4 oferta.
Ofertat janë paraqitur nga subjektet e interesuara sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në VKM nr.481 date 14.06.2006.Subjektet kanë paraqitur dokumentacionin e tyre ku përmbaheshin të dhëna si: situata financiare, xhiro vjetore, përvoja në rajon, përvoja në tunele, përvoja në menaxhim projekti, përvoja në sigurim finacimi, përvoja në kontrata me çmime njësi, përvoja në realizim projektesh në kohë dhe brenda buxhetit, përvoja e drejtuesve të punimeve si dhe propozimi për të siguruar cmim të arsyeshëm dhe realizim në kohë.Ofertat e paraqitura konsistonin në çmimet për njësi, në mungesë të një projekti të detajuar.
Pas vleresimit të ofertave në një punë dyditore u përpilua raporti i Komisionit të Vlerësimit, i cili rekomandon ofertuesin më të suksesshëm, firmën Joint- Venture "Bechtel- Enka".
Me datë 15.09.2006 pas negocimeve të kushteve të kontratës, të kryesuara nga "Ecorys – Group", u hartua project- kontrata e cila u miratua me VKM nr.651 date 27.09.2006, që është kontrata aktuale e zbatueshme.
Supervizori i punimeve në kontratë, deri në perzgjedhjen e tij me tender ndërkombëtar është Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, i cili ka autoritetin që të delegojë kompetencat e tij si supervizor, një stafi të specializuar, që sipas kontratës ka cilësinë e përfaqsuesit të supervizorit.Ne ushtrim te kompetencave te tij Drejtori i Pergjithshem ka deleguar autoritetin e perfaqësuesit te supervizorit Kompanise Konsulente Scetauroute, nëpërmjet një shtese në kontratën origjinale. Kompania "Scetauroute" është dhe projektuesi i seksionit të 3, ku përfshihet dhe tuneli prej 5.6 km.Ky subjekt mbulon supervizionin në segmentin e 3, në të cilin po punohet aktualisht nga sipërmarrësi.Aktualisht kontraktori është përqendruar në segmentin e 3 në punimet e portalit të tunelit.Mobilizimi i kontraktorit konsiston në: ngritjen e 3 kampeve të mëdhenj për punonjësit dhe konkretisht në Kalimash, në Thirrë dhe në Reps. Ndërtimi i kampeve është në fazë përfundimtare.Gjithashtu janë porositur, blere dhe angazhuar në kantier rreth 300 mjete dhe pajisje të rënda. Janë hapur rreth 20 km rrugë aksesi (rruge hyrese) dhe sekondare.Aktualisht në kantier jane mobilizuar rreth 300 punonjës.
PYETJE: Projekti përfundimtar i zbatimit, a ka mbaruar apo jo?
PERGJIGJE: Aktualisht jemi në fazë të avancuar të projektit, e cila quhet faza parapërfundimtare.Projekti i detajuar i zbatimit parashikohet të përfundojë në fund të qershorit të 2007.Mbasi përfundon projekti i zbatimit, ai bëhet subjekt i kontrolleve të organeve te specializuara si oponenca teknike, miratimi i tij në bazë të procedurave standarte.
PYETJE: Sa eshte vlera e objektit?
PERGJIGJE: Vlera e saktë e objektit do të dalë në momentin e përfundimit të projektit të zbatimit.Në kontratë është parashikuar, në bazë eksperiences dhe analizës paraprake të sipërmarrësit, një çmim total i synuar në vlerën 418 000 000 euro.Kjo është vlera e synuar, por në varesi të rezultateve të projektit të detajuar do të kemi çmimin përfundimtar të rruges.Ky fakt është parashikuar në kontratë.
PYETJE: A ka ose jo ndonjë garanci të kontratës nga sipërmarrësi?
PERGJIGJE: Në bazë të kushteve të kontratës, sipërmarrësi ka paraqitur 3 garanci kontrate që i korrespondojnë fillimit të punes në 3 seksione të ndryshme të objektit.
Ligji i kontratës është ligji anglez, siç specifikohet në kontratë.
PYETJE: Çfarë procedure është ndjekur nga ana e DPR për projekt-vendimet nr.460, 481, 526 dhe 651 te vitit 2006?
PERGJIGJE: Lidhur me këto projekt-VKM, deklaroj se ato janë iniciuar vetëm nga ana e Ministrisë së Punëve Publike dhe në DPR kanë ardhur vetëm Vendimet e Këshillit të Ministrave pasi ato i kanë kaluar te gjitha fazat dhe janë miratuar.Pra me procedurat e këtyre VKM-ve DPRR nuk është angazhuar fare.
PYETJE: Cili është mendimi juaj për kontratën, pasi në këtë kontratë mungon projekti përfundimtar?
PERGJIGJE: Projekt- kontrata është hartuar dhe negociuar me kontraktorin nga konsulenti Ecorys Group në bashkëpunim me M.P.P.T.T. dhe është paraqitur në Këshillin e Ministrave për miratim.Në bazë të kontratës qëndron angazhimi i kontraktorit ne një sipërmarrje në bazë çmimesh për njësi të pandryshueshme gjatë gjithe kohës së zbatimit të kontratës.Kjo kontratë është bazuar në modelin standard të kontratave ndërkombëtare FIDIC të aplikuar dhe në vende të tjera të botës.
PYETJE: Sipas dijenisë suaj, cilët persona konkretë janë marrë me përpilimin e kësaj projekt-kontrate?
PERGJIGJE: Në perpiliminin e kësaj kontrate ashtu si gjithë dokumentacioni i garës së tenderit, është marrë vetëm "ECORYS GROUP" pasi ai ishte caktuar me VKM si kompania konsulente që do të merrej me këtë procedurë.Ministria e Puneve Publike ka asistuar negocimin e kontratës.
PYETJE: Në faqen nr.13 të kontratës parashikohet edhe nje klauzole sipas së cilës ..."Ligji i kontratës është ligji anglez...". Çfare keni për të thënë për këtë fakt?
PERGJIGJE: Si kam deklaruar edhe më sipër, sqaroj se me ligjshmërinë e kontratës është marrë vetëm Ministria e Punëve Publike dhe "ECORYS GROUP". Kjo klauzolë ka qene objekt i negocimit me kontraktorin, i cili ka këmbëngulur që ligji i kontratës të jetë ai anglez.
PYETJE: Çfare dokumentacioni i keni vënë në dispozicion shoqërisë "ECORYS GROUP" dhe shoqërisë "Bechtel –Enka"?
PERGJIGJE: Mbarëvajtja e punës së ECORYS GROUP gjatë fazës së prokurimit dhe negociimit të kontratës është siguruar nga M.P.P.T.T. Konsulentit i janë siguruar të gjitha materialet e nevojshme nga ana e Ministrisë për zhvillimin e efektshëm të punës së tyre.
Në këto të dhëna bëjnë pjesë legjislacioni shqiptar, të dhëna teknike për studimet e mëparshme mbi gjurmën e rrugës, fizibiliteti, të dhëna trafiku, kostot e punimeve në Shqipëri etj.
PYETJE: A e njihni ju personalisht gjuhën angleze?
PERGJIGJE: Po, unë e njoh shumë mirë këtë gjuhë.
PYETJE: Pse është dhënë paradhënie pa pasur projekt përfundimtar zbatimi?
PERGJIGJE: Paradhënia është parashikuar në kontratë dhe është dhënë në përputhje me kushtet e kontratës. Në kontratat FIDIC, ky është një detyrim normal nga ana e punëdhënësit i cili lëvrohet pas paraqitjes së garancisë nga ana e sipërmarrësit.
PYETJE: Cila është baza ligjore e përdorur gjate tenderit ndërkombëtar?
PERGJIGJE: Kam për të thënë se procedurat jane zhvilluar në bazë të VKM nr.481 date 14.06.2006. Në relacionit e këtij vendimi është shprehur qartë se objektivi i planit të prokurimit është që projekti të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur, mbi një cmim të favorshëm dhe të përputhet me parimet e prokurimit të vendosura nga institucioniet multilaterale si Berzh, Komisioni Evropian, Banka Botërore etj dhe mbeshtetur mbi parimet e transparences dhe të trajtimit jo-diskriminues. Dokumentacioni për prokurim, konkurim etj është përgatitur nga konsulenti "Ecorys Group".