Ligji anti-duhan i cili ka hyrë në fuqi në Shqipëri 4 muaj më parë nuk ka gjetur zbatim. Raporti është bërë i ditur nga organizata "Anti-duhan".
Sipas monitorimit më të fundit, duhani vazhdon të pihet në të gjitha ambientet publike, në bare dhe restorante ku shenja "anti- duhan" është shumë e dukshme.
"Ligji ka dështuar totalisht pasi strukturat përgjegjëse në qeverinë shqiptare nuk kanë marrë asnjë masë në praktikë"- tha Xhovani Shyti, një nga përfaqësuesit e shoqatës "Anti-Duhan" në Shqipëri.
Sipas tij, ligji është shumë i mirë por problemi është që nuk ka gjetur zbatim.
Sipas ligjit, gjoba për shkelje të ligjit është rreth 50 mijë lekë për bizneset.
Shyti tha se është lajmëruar Ministria e Shëndetësisë të marrë masa lidhur me zbatimin e ligjit.
Në Shqipëri ka rreth 872 mijë duhanpirës, numër shumë i madh ky për një popullsi me 3 milionë banorë.
Ekspertët e shëndetësisë janë të shqetësuar edhe për faktin se 15% e fëmijëve, nga mosha 13-15 vjeç, pijnë duhan rregullisht.
Gjatë vitit 2006, Shqiptarët kanë shpenzuar rreth 300 milionë euro për blerjen e duhanit.