Muaji gusht shënoi rikthimin e presioneve inflacioniste në ekonomi, bëhet e ditur nga të dhënat e Institutit të Statistikave të publikuara dje. Përgjegjësja e sektorit të çmimeve në INSTAT, Hazbie Bunguri, deklaroi dje se “gjatë gushtit pati rritje të çmimeve të grupit ”ushqime dhe pijeve alkoolike” në masën 1.6%, si dhe rënie të çmimi i naftës u ul me 3.3 për qind”.
Inflacioni pati shënuar ulje për katër muaj me radhë nga prilli në korrik, ulje që i atribuohej prodhimit bujqësor vendës. Dalja e zarzavateve të fushës në treg zakonisht sjell ulje të çmimeve gjatë muajve të verës. Por në gusht, tendenca ndryshoi. Grupi i zarzavateve shënoi një rritje mujore prej 5.5%. INSTAT nënvijëzon edhe rritjen e çmimeve të bukës e drithërave, bulmetit etj.
Rritja vjetore
Në krahasim me gushtin vitit të kaluar, inflacioni vjetor rezultoi 2.5%. Vetë INSTAT deklaroi se kjo statistikë nuk nënkupton ulje. Gushti i vitit të kaluar ka qenë gjithashtu një muaj me inflacion shumë të lartë prej 4.2%. “Kjo rënie e inflacionit vjetor në muajin Gusht ‘08 është rezultat i rritjes së madhe të çmimeve në muajin Gusht 2007. Siç dihet, në muajin Gusht 2007 çmimet patën një rritje të pazakontë në masën 1.9% krahasuar me muajin Korrik ‘07”, - tha znj.Bunguri dje.
Treguesi i inflacionit ka tërhequr gjithmonë debat politik në Shqipëri. Edhe njoftimi i djeshëm, nuk i shpëtoi debatit. Kryeministri Sali Berisha e konsideroi inflacionin e gushtit, si “inflacioni më i ulët në Europë”. Një muaj më parë, opozita akuzoi INSTAT se po “manipulon për llogari të qeverisë” të dhënat mbi rritjen e çmimeve. Banka e Shqipërisë nënvijëzoi jo pa habi në një deklaratë se “rënia e çmimeve prej 1% në muajin prill, qe rënia më e fortë mujore e regjistruar në dy vitet e fundit”. Dyshimet janë të shumta, veçanërisht përballë faktit se partnerët tanë kryesorë tregtarë, Italia dhe Greqia, janë përballur me inflacion shumë të lartë gjatë muajve të fundit dhe të dhënat për gushtin, japin për Italinë inflacion dy herë më të lartë se në Shqipëri.