Ndryshe nga ç’ishte deklaruar gjatë zhvillimit të tenderit, kontrata e lidhur midis qeverisë dhe kompanisë që bleu kompaninë “ARMO” nuk parashikon një investim prej 240 milionë euro, por 240 milionë dollarë. Një ndryshim i tillë në monedhë përkthehet në një diferencë të theksuar dhe anëtarët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë kanë kundërshtuar këtë pikë, që sipas tyre është një shkelje e hapur.
Opozita ka shprehur pakënaqësi për disa pika, ku më e diskutueshmja ishte ajo e vlerës së investimit pas shitjes, e cila në tenderin e hapur është deklaruar 240 milionë euro dhe në kontratë e njëjta shifër figuron me dollarë amerikanë. Sipas opozitës, nisur nga kursi i këmbimit, bëhet fjalë për një ulje në vlerën e parashikuar të investimeve prej rreth 90 milionë dollarësh më pak. “Ka një problem shumë të madh dhe nuk ka asnjë lloj sqarimi në materialin e Këshillit të Ministrave”,- u shpreh anëtari socialist i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe.
Por kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Neritan Alibali shpjegoi se ky ka qenë një lapsus gjatë procesit të ankandit. “Mund të vini të hapni dokumentet e dorëzuara dhe të gjitha diskutimet e analizat janë bërë mbi këtë bazë. Mund të flitet për një gabim njerëzor”,- u shpreh Alibali. Shitja e 85 për qind të aksioneve të “ARMO”-s për 125 milionë euro u miratua nga qeveria javën që shkoi.
Vetëm pak ditë më parë zv/ministri i Ekonomisë, Neritan Alibali ka nxituar të ripohojë akuzat se gjatë procesit të tenderimit, vlerësimit të ofertave dhe analizës së kompanive pretendente, ka pasur individë, të cilët janë përpjekur të marrin informacione në mënyrë të paligjshme, kanë ndikuar edhe në media të ndryshme për të krijuar opinione, etj. Për herë të parë, ekzistencën e një grupi “sabotator” , që të ketë vepruar gjatë procesit të tenderit për shitjen e “ARMO”-s, e përmendi kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha. Sipas tij, Policia Kriminale dhe Ministria e Brendshme kishin arritur të neutralizonin një grup individësh, të cilët, të joshur nga fitime personale, kishin punuar për të bërë që të dështonte tenderi, të cilin ai e cilësoi si “më të suksesshmin” e kryer ndonjëherë nga administrata publike.