Grupi i antikontrabandës tokësore në qytetin e Vlorës, pas një kontrolli që zhvilloi sot (e enjte) në mjetin me targë TR 3586 L, pronë e subjektit "Angji", të ngarkuar me konfeksione të ndryshme, zbuloi një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara.
Shefi i Antikontrabandës Tokësore, Gjovalin Progni, tha, se nga ky kontroll u gjetën të pa deklaruara 150 copë xhupa, 200 palë pantallona xhins për të rritur dhe 100 copë çanta tekstili.
Sipas Prognit, ndaj këtij subjekti u mor masa e penalizimit me 717 421 lekë, njëkohësisht u bë dhe sekuestrimi i mallit të pa deklaruar.
Gjatë këtyre ditëve forcat e Antikontrabandës Tokësore zbuluan dhe sekuestruan në Doganën e Kakavijës një sasi të konsiderueshme cigaresh, ndërkohë që në Kapshticë sekuestruan edhe 226 komplete konfeksionesh firmato të destinuara për eksport me vlerë 768 344 lekë, që i përkisnin subjektit "ARNIL", i cili tentoi t'i kalonte pa doganë.
Ndërkohë në Doganën e Hanit të Hotit u bllokuan nga Antikontrabanda dy mjete me 100 kg kafe kontrabandë.
Forcat e antikontrabandës, kanë shtuar kontrollin në të gjitha pikat doganore për të zbuluar dhe kapur çdo subjekt që tenton të ushtrojë aktivitet të paligjshëm në dogana.