Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me Këshillin e Agrobiznesit, po diskutojnë për hartimin e një ligji, i cili do të sanksionojë që kompanitë shqiptare dhe ato të huaja, të zbatojnë standardin HACCP (pikë e kontrollit në industrinë ushqimore), për produktet ushqimore.
Sipas burimeve nga kjo ministri, aktualisht ligji shqiptar për standardizimin, nuk i detyron kompanitë shqiptare të çertifikohen me standardin ISO apo HACCP, sepse çertifikimi është një proçes vullnetar i vetë kompanive.
Por, sipas specialistëve të bujqësisë, mosplotësimi i këtij treguesi ka pakësuar rritjen e eksportimit të prodhimeve shqiptare për shumë artikuj, veçanërisht bujqësorë, si dhe i ka bërë ato të konkurrohen lehtësisht nga produktet e huaja.
Ligji i ri, pritet të verë sanksione të detyrueshme për çertifikimin e prodhimeve shqiptare, si dhe kontroll për prodhimet e importit, në se janë të çertifikuara me standardin HACCP, për të hyrë në tregun e vendit.