Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, priti sot në një takim pune, një delegacion biznesi nga Izraeli, të kryesuar nga ambasadorja e Izraelit për Shqipërinë, Amira Amon.
Në qendër të takimit ishin mundësitë e përbashkëta për investime nga kompani izraelite, të interesuara për tregun shqiptar. Ministri Ruli i njohu të pranishmit me projektet që qeveria ka në drejtim të thithjes së investimeve të huaja, kryesisht në fushat e prodhimit të energjisë, të infrastrukturave të ndryshme, sikurse janë ato të ujësjellësve, të agrobiznesit, të teknologjive të larta, etj.
Ministri Ruli u shpreh se vendi ynë ka nevojë për investime private në sektorë publikë, dhe për këtë qëllim, qeveria ka ndërmarrë hapat e nevojshme ligjore për mbështetjen e tyre, duke kapërcyer mjaft burokraci. Ministri Ruli e ftoi biznesin izraelit, që të hyjë me investime në sektorë të ndryshëm publikë si dhe në privatizimin e sektorëve si shpërndarja e energjisë, etj.
Ambasadorja e Izraelit për Shqipërinë, Amira Amon, shprehu vullnetin që kanë kompani të ndryshme izraelite për të investuar në vendit tonë. Në delegacionin që ajo kryeson marrin pjesë përfaqësues nga Instituti i Eksporteve të Izraelit, një ndërmjetës i fuqishëm mes shtetit dhe biznesit në Izrael, biznesmenë nga sektorët e peshkimit, të energjisë, agrobiznesit, etj.