Bode: Do paguhen që këtë vit, shpenzimet e njohura që do realizohen në 2008
Nuk do të parapaguajmë fatura të investimeve të pabëra, por ne kemi elementë shpenzimesh të cilat janë të njohura paraprakisht dhe të deklaruara se në çfarë sektori do të paguhen për vitin 2008, që janë në formën e pagesave të detyrueshme dhe që mund të paguajmë më shumë këtë vit, që të shkojmë tek deficiti 4% që kemi pasur si qëllim dhe që duhet të jemi konstant.
Qeveria do të kanalizojë të gjithë fondet që nuk ka mundur t'i kthejë në investime në 2007, për pagesa të cilat janë njohur tashmë për vitin 2008. Projekti është bërë i ditur nga vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, në një kohë që gjatë 9 muajve të parë të këtij viti janë realizuar vetëm 30% e investimeve vjetore. "Nisur nga situata shumë e mirë fiskale dhe financiare e këtij viti pasi, sikurse e dini, gjatë këtij viti ne kemi qenë në vijimësi me suficit dhe kjo ka qenë një element, siç u përmend, për të penguar valën e dytë të inflacionit që mund të vinte nga faktorët e jashtëm, ne do të mundësojmë të avancojmë ato shpenzime që janë të përshpejtueshme",- tha Bode. Këtë projekt, i cili nuk është zbatuar ndonjëherë të paktën zyrtarisht gjatë këtyre viteve, Bode e klasifikoi si një domosdoshmëri për të ulur presionet inflacioniste në 2008. "Viti 2008 do të jetë një vit ku sikurse dihet publikisht, qeveria ka avancuar objektivat e saj lidhur me zbatimin e programeve madhore të infrastrukturës dhe në këtë vit do të mobilizojë pjesë të qenësishme nga fondet e huaja të kontraktuara deri më sot, dhe të gjitha këto bëjnë të nevojshme që të rritet vëmendja nga ana e qeverisë, për të bllokuar çdo presion apo çdo rritje të presionit inflacionit, apo të presioneve të tjera të cilat mund të afektojnë stabilitetin makroekonomik",- ka sqaruar Bode.
Sipas kreut të Financave, projekti për të bërë pagesat e 2008 me fondet e buxhetit 2007 është miratuar edhe nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar. "Në bashkëpunim dhe në bisedime me Fondin, ne kemi programuar një sërë masash të cilat synojnë përshpejtimin e një sërë financimesh për vitin 2007, duke mundësuar pagesat edhe për vitin 2008 gjatë periudhës së fundit të vitit 2007, për të ulur pak çdo rritje të kërkesës që vjen prej rritjes së qenësishme të buxhetit për vitin 2008. Nga ana tjetër, qeveria është e gatshme që në rishikimin e buxhetit dhe të rishikimit të fundit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Fondin, në fund të 6-mujorit të parë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, nëse do të ketë tendenca apo nëse do të ketë elementë inflacioni apo elementë të tjerë makroekonomikë do të jenë të afektuar në fushën fiskale. Nuk do të parapaguajmë fatura të investimeve të pabëra, por ne kemi elementë shpenzimesh të cilat janë të njohura paraprakisht dhe të deklaruara se në çfarë sektori do të paguhen për vitin 2008, që janë në formën e pagesave të detyrueshme dhe që mund të paguajmë më shumë këtë vit, që të shkojmë tek deficiti 4% që kemi pasur si qëllim dhe që duhet të jemi konstant",- tha Bode
FMN, rrezikohemi nga inflacioni
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë të ditur se ka miratuar nismën e qeverisë për të filluar financimin e projekteve të vitit 2008, që në fund të vitit 2007. "Autoritetet shqiptare kanë si qëllim mobilizimin e shpejtë të fondeve të huaja për të financuar projekte të mëdha infrastrukturore në 2008, të cilat mund të shtojnë presionet nga ana e kërkesës dhe rreziqet fiskale. Prandaj, është e rëndësishme për t'u siguruar që deficiti buxhetor të mos krijojë presione inflacioniste. Një deficit prej afro 5 për qind e GDP-së (krahasuar me 4 për qind të parashikuar në 2007) do të lejonte një përshpejtim të përkohshëm të shpenzimeve të rëndësishme në infrastrukturën e transportit, duke mbajtur stabilitetin makroekonomik, duke mbrojtur konsolidimin e vazhdueshëm fiskal dhe duke dhënë financimet e mjaftueshme për investimet e tjera publike të planifikuara në periudhën afatmesme",- ka bërë të ditur shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell.