Zgjerimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit për rritjen e sigurisë ushqimore si dhe zhvillimi i qëndrueshëm përmes integrimit të politikave bujqësore, ambientaliste, ekonomiko- sociale, ishin temat kryesore që u diskutuan në Forumin Ekonomik të CEI-t, që u zhvillua nga data 31 Tetor -3 Nëntor, në Sofje të Bullgarisë.
Në këtë Forum mori pjesë edhe një delegacion shqiptar, i kryesuar nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana. Bujqësia, ambienti dhe turizmi, u shpreh ministri Gjana në këtë forum, "janë ballafaquar me një sërë sfidash për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm, të shoqëruar dhe me proçese ekonomike, ambientale sipas kërkesave bashkëkohore ndërkombëtare".
Sipas ministri Gjana, disa prej këtyre sfidave janë të veçanta, por një numër i madh i tyre përputhen nëpërmjet interesave të përbashkëta mes shteteve të Rajonit e më gjerë.
Duke u ndalur në objektivat e qeverisë shqiptare, ministri Gjana tha se "Politikat për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe zonave rurale do të synojnë përmirësimin e produktivitetit dhe rritjen e aftësisë konkurruese të sektorit të bujqësisë dhe ushqimit, sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, për të siguruar rritjen e nivelit të jetesës dhe reduktimin e varfërisë".
Gjatë vizitës në Sofje, ministri i MBUMK, Gjana, zhvilloi dhe një sërë takimesh me homologët e tij nga vendet e rajonit dhe Europës, që ishin pjesëmarrës në këtë Forum.