"Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës deri në fund të vitit 2007, do të eliminojë 24 lloje licencash si dhe do të reduktohen kërkesat për liçencim në masën 30-40%, duke lehtësuar më shume procedurat për hapjen e një biznesi të ri", është shprehur së fundi ministri i METE-s, Genc Ruli.
Gjithçka po lidhet me një filozofi të qartë, që synon të ndryshojë në mënyrë rrenjësore mentalitetin e administratës publike dhe biznesit, në marrëdhëniet mes tyre.
Në kuadër të Reformës Rregullatore, që ka si drejtime të veta edhe lehtësimin e proçedurave të licencimit dhe regjistrimit të bizneseve, vitin e kaluar nga ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, u rishikuan 135 licenca, leje dhe autorizime.
"Kalimi nga parakontrolli i gjithçkaje, tek autodeklarimi, do të vendosë për herë të parë në Shqipëri, një raport të ri përgjegjshmërie dhe besimi midis administratës publike dhe biznesit", shprehet ministri i METE-s, Ruli.
Gjithçka mbështetet në faktin e njohur se burokracia përbën një pengesë të madhe për zhvillimin e biznesit. Ndaj dhe në METE vazhdohet të punohet në drejtim te eliminimit të pengesave të panevojshme administrative, përmes reformës shumë ambicioze dhe të vështirë, por dhe shumë të nevojshme, Reformën Rregullatore.